Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për plagosjen e Erion Vishkulliit gjatë protestës së 24 tetorit.
Prokuroria e Tiranës ka filluar hetimet në lidhje me plagosjen e Erion Vishkulliit gjatë protestës së 24 tetorit.
Raportohet se janë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë të Bankës së Shqipërisë, aty ku besohet se mund të identifikohet punonjësi i Policisë e Shtetit që qëlloi me plumb gome në sy protestuesin Erion Vishkulli. Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar gjithashtu kartelën mjekësore të hapur në spitalin e Traumës në Tiranë, ku 28-vjeçari u trajtua pas plagosjes.
Grupi i hetimit ka dërguar një letërporosi në Itali, duke kërkuar nga autoritetet spitalore ku është shtruar Erion Vishkulli t'i vënë në dispozicion sferën e gomës që i ka mbetur në sy të riut.
Erion Vishkulli u godit me një plumb gome të gjuajtur nga policia, i cili i dëmtoi syrin. Në media u shfaqën momentet e rënda, ku 28-vjeçari shihej i shtrirë në tokë me syrin e gjakosur, teksa bërtiste nga dhimbjet. Shokët e tij e dërguan në spital me një makinë të mediave, ku ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Pas kësaj ai u nis drejt kryeqytetit italian, Romës, për të marrë ndihmë më të specializuar. Plumbi i gomës ndodhej ende në syrin e të riut kur ai u nis me avion për në Itali.
Nga ana tjetër, raportohet se ky nuk është hetimi i vetëm që prokuroria e Tiranës zhvillon në lidhje me protestën e studentëve.
Në total janë 10 dosje penale të hapura, ndërsa dhjetëra kallëzime penale janë depozituar në prokurori nga disa studio ligjore avokatie, nga Partia Demokratike dhe nga qendra ligjore „Respublika“.