Kompania Myrto Security, të cilës iu revokua licensa pas ngjarjeve të rënda në Zvërnec në maj 2026, është pjesë e bashkimit fitues në tenderin rreth 2 milionë eurosh të Drejtorës Rajonale të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në Elbasan.
Shoqëria e sigurisë private „Myrto Security“, të cilës iu revokua licensa pas episodeve të rënda në Zvërnec në maj të vitit 2026, tani rezulton se është pjesë e një bashkimi fitues në një tender me fond rreth 2 milionë euro, të zhvilluar nga Drejtoria Rajonale e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në Elbasan.
Pak ditë më parë, OSSH njoftoi lidhjen e kontratës me bashkimin e operatorëve „Juer Security“ dhe „Myrto Security“, me objekt „Shërbim sigurie për ruajtjen fizike të ndërtesave, aseteve, njerëzve dhe pronave të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes sh.a./ Drejtoria Rajonale Elbasan dhe Furnizuesit të Shërbimit Universal sh.a, Elbasan“.
Në foto: Rezultatet e tenderit 2 mln euro të OSSH-Elbasan
Procedura e tenderimit u shpall në gusht të këtij viti dhe fondi limit ishte parashikuar 184.735.036 lekë të reja ose 1,99 milionë euro, sipas kursit të këmbimit të momentit.
Në dokumentat e tenderit ishte parashikuar se një ndër kriteret kryesore për kualifikim ishte pajisja e kompanive të interesuara me licensën e tipit 1.3 A. Kjo licensë është edhe baza e aktivitetit të shoqërive private të sigurimit. Mbi bazën e këtij dokumenti, Shoqëritë Private të Sigurisë Fizike marrin lejen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë për të kryer shërbimin e „sigurisë për ruajtjen e pronave, institucioneve, ngjarjeve ose individëve“.