Vala e protestave ka arritur në Belgjikë dhe Portugali, ku policia përdori gaz lotsjellës kundër demonstrantëve.
Vala e protestave ka arritur edhe në Belgjikë, ku policia belge përdori gaz lotsjellës dhe spray kundër demonstrantëve në Bruksel, gjatë një manifestimi ku qindra persona u mblodhën për të kundërshtuar politikat e qeverisë dhe për të kërkuar financim më të mirë për sistemin arsimor.
Protesta është pjesë e një vale demonstratash të zhvilluara gjatë muajve të fundit; përplasjet e këtij rasti ishin më pak të ashpra krahasuar me ato të javës së kaluar.
Gjatë incidenteve në kryeqytetin belg, disa protestues u panë duke ikur dhe duke u rrëzuar në tokë teksa ndiqeshin nga policia. Në një episod tjetër, demonstruesit hodhën tabela trafiku dhe objekte të tjera mbi një grumbull skuterësh dhe biçikletash me qira, në përpjekje për t'u vënë flakën.
Sipas raportimeve të mediave belge, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën në disa momente të protestës.
Në një deklaratë të dhënë në orët e vona të pasdites, policia e Brukselit njoftoi se nuk ishin regjistruar incidente të mëdha. Megjithatë, pesë persona u ndaluan për prishje të rendit publik, ndërsa katër të tjerë për posedim të armëve të ndaluara.
Protestat në Bruksel zhvillohen në një periudhë kur demonstratat e dhunshme janë shtuar edhe në qytete të tjera evropiane, përfshirë Parisin dhe disa qytete të Italisë.
Edhe Portugalia është përfshirë nga protestat. Në Lisbonë, mijëra qytetarë dolën në rrugë të shtunën, duke kundërshtuar rritjen e çmimeve të banesave dhe vështirësitë për të përballuar qiratë. Protestuesit ngritën më shumë se 100 çadra në sheshin Rossio, në qendër të kryeqytetit, duke njoftuar se do të vijonin qëndrimin e tyre deri në marrjen e masave nga qeveria.
Por situata u tensionua në orët e para të së dielës. Policia ndërhyri për të shpërndarë kampin, ndërsa 25 persona u arrestuan në Lisbonë dhe gjashtë të tjerë në Porto, ku autoritetet çmontuan gjithashtu një kamp proteste. Sipas policisë, shtatë persona pësuan lëndime të lehta në të dy qytetet, ndërsa organizatorët e protestës pretendojnë se numri i të lënduarve ishte më i lartë.
Në këtë valë protestash, një rol të rëndësishëm ka edhe mobilizimi përmes rrjeteve sociale. Thirrjet online kanë ndihmuar në përhapjen e protestave në qytete të ndryshme të Portugalisë, ndërsa demonstruesit e rinj kanë përmendur edhe ndikimin e protestave të zhvilluara në Spanjë.