Presidenti amerikan Donald Trump ka sugjeruar vendosjen e tarifave doganore 200% ndaj Rusisë dhe Ukrainës për t'i detyruar të dyja vendet të japin fund konfliktit, megjithëse pranoi se masa mund të mos funksionojë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka propozuar mundësinë e zbatimit të tarifave doganore në masën 200% ndaj Rusisë dhe Ukrainës, me synim që t'i shtyjë të dyja vendet drejt përfundimit të luftës.
Sidoqoftë, ai shprehu rezerva se ky mekanizëm do të jepte rezultatin e dëshiruar, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk realizojnë shkëmbime tregtare në vëllim të duhur me asnjërin nga këta dy vende.
Deklarata e Trump u bë gjatë një mbledhje fushe zgjedhore të djeshme në Floridë, ku ai diskutoi strategjinë e tij në fushën e tregtisë dhe pretendoi se tarifat kishin kontribuar në zgjidhjen e disa mosmarrëveshjeve ndërkombëtare.
„Tarifat na kanë ndihmuar t'i japim fund tetë luftërave. Për pesë prej tyre, do të thoja se roli kryesor e kanë pasur tregtia dhe tarifat“, tha Trump.
Ai sqaroi se në situata të mëparshme kishte kërcënuar palët e përfshira në konflikte me zbatimin e tarifave të rënda, nëse do të vazhdojnë përlesjet.
„Nëse ata vazhdojnë të luftojnë, do të vendosim tarifa 200% ndaj të dyja palëve“, deklaroi Trump, duke treguar se, në vlerësimin e tij, ky kërcënim ishte efektiv në ndalimin e konflikteve në rastet që përmendti.
Më pas, presidenti amerikan sugjeroi se një masë e ngjashme mund të aplikohej edhe në rastin e Rusisë dhe Ukrainës.
„Ndoshta duhet ta zbatojmë këtë menjëherë edhe me Ukrainën dhe Rusinë. Nuk më kishte kaluar në mendje më parë“, u shpreh ai.
Megjithatë, Trump pranoi se një qasje e tillë mund të mos jepte rezultat në këtë kontekst, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk importojnë sasi të përshtatshme produktesh nga Rusia dhe Ukraina, për të ushtruar presion ekonomik të ndjeshëm përmes tarifave.
„Por ne nuk blejmë sa duhet nga ato vende për ta bërë këtë. Prandaj nuk funksionon“, tha presidenti amerikan.
Trump ka pohuar më herët se kërcënimet për zbatimin e tarifave tregtare kanë qenë vendimtare në arritjen e marrëveshjeve për përfundimin e konflikteve të ndryshme.
Megjithatë, pretendimet e tij për kontributin e SHBA-së në marrëveshjen e armëpushimit ndërmjet Indisë dhe Pakistanit janë hedhur poshtë nga India, e cila ka deklaruar se marrëveshja u arrit drejtpërdrejt nga udhëheqësit ushtarakë të të dyja vendeve.