Presidenti kinez Xi Jinping ka zhvilluar një nga valët më të mëdha të spastrimeve në historinë moderne të Partisë Komuniste të Kinës. Tridhjetë e tre zyrtarë janë shkarkuar ose kanë humbur pozicionet e tyre, ndërsa mungesa e më shumë se një të katërtës së anëtarëve të Komitetit Qendror në takimin e fundit të nivelit të lartë ka zbuluar përmasat e ndryshimeve brenda strukturave drejtuese të vendit. Sipas raportimit të gazetës britanike The Guardian,
në Sesionin e Pestë Plenar të Komitetit Qendror morën pjesë vetëm 279 anëtarë të plotë dhe zëvendësues, nga 376 që ishin zgjedhur fillimisht në vitin 2022. Pra, më shumë se 25% e përbërjes fillestare mungonte në këtë takim, ku një pjesë e konsiderueshme e vendeve të lira lidhet me spastrime të kryera gjatë viteve të fundit.
Ky është numri më i madh i vendeve të lira të regjistruara në një seancë plenare të Komitetit Qendror në historinë moderne të Kinës, duke dëshmuar shkallën e ndërhyrjeve të Xi Jinping në strukturat e partisë dhe të ushtrisë. Mes emrave të konfirmuar si të shkarkuar janë Zhang Yuxia, ish-zëvendëskomandant i ushtrisë kineze, dhe Ma Xingrui, ish-sekretar i Partisë Komuniste në rajonin Xinjiang. Ndërkohë, për mungesën e disa zyrtarëve të tjerë nuk është dhënë ende një shpjegim zyrtar. Neil Thomas, bashkëpunëtor i lartë në organizatën kërkimore Asia Society, vlerësoi se numri rekord i vendeve të lira nënvizon rëndësinë që Xi Jinping i kushton disiplinës së brendshme dhe kontrollit mbi partinë.
Që prej ardhjes në pushtet në vitin 2012, Xi Jinping e ka vendosur luftën kundër korrupsionit në qendër të drejtimit të Partisë Komuniste. Por vitet e fundit, kjo fushatë është zgjeruar ndjeshëm, duke prekur jo vetëm zyrtarët e administratës, por edhe figurat më të fuqishme politike dhe ushtarake të Kinës.
Spastrimet kanë ngritur pikëpyetje nëse bëhet fjalë vetëm për një përpjekje për të luftuar korrupsionin ose nëse ato po përdoren gjithashtu si instrument për të larguar kundërshtarët politikë dhe për të ndëshkuar zyrtarët që nuk konsiderohen mjaftueshëm besnikë ndaj presidentit. Vetë Xi ka shprehur vazhdimisht pakënaqësinë për mungesën e disiplinës brenda partisë, e cila ushtron kontrollin mbi shtetin dhe shoqërinë kineze. Në deklaratat e tij të fundit, ai ka kërkuar eliminimin e „pemëve të sëmura“ nga radhët e partisë, ndërsa luftën kundër korrupsionit e ka cilësuar si një „udhëtim pa fund“.






