Gjurmimi i pasurive me origjinë të paligjshme dhe sigurimi i provave elektronike në hetimet e korrupsionit ishin dy nga çështjet kryesore që mblodhën në Tiranë 70 hetues dhe prokurorë nga 28 vende në një takim të organizuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Takimi u zhvillua nga 27 deri më 29 tetor, ku hetuesit dhe prokurorët shkëmbyen përvojë mbi mënyrat e hetimit të korrupsionit, përdorimin e ligjshëm të informacioneve fillestare dhe vërtetimin e origjinës së paligjshme të pasurive.
Një nga temat e diskutuara ishte edhe koordinimi mes autoriteteve të vendeve të ndryshme, veçanërisht në rastet kur personat që hetohen, informacionet dhe pasuritë ndodhen jashtë kufijve të një shteti. Në këto situata, sigurimi i provave kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar.






