Kalo te përmbajtja kryesore

Kur do të zgjedhin 46 kryebashkiakët? Opozita bojkoton konsultimet e Presidentit për datën, por jo zgjedhjet

Presidenti Bajram Begaj pritet të shpallë datën e zgjedhjeve vendore të vitit 2027 për 46 kryebashkiakët.

Nga Redaksia

· 2 min lexim

Shpërndaje
Kur do të zgjedhin 46 kryebashkiakët? Opozita bojkoton konsultimet e Presidentit për datën, por jo zgjedhjet

Pikat kryesore

  • Presidenti Bajram Begaj zhvilloi konsultimet me partitë parlamentare për datën e zgjedhjeve vendore të vitit 2027, por vetëm mazhoranca u përgjigj ftesës.
  • Partia Socialiste kërkoi që zgjedhjet të mos mbahen më 2 maj, ndërsa Partia Socialdemokrate propozoi 9 maj, datë që përkon me Ditën e Europës.
  • Partia Demokratike i cilësoi konsultimet fiktive dhe formale, ndërsa Sali Berisha vuri në dyshim procesin zgjedhor pa konfirmuar bojkot.

Presidenti Bajram Begaj pritet të shpallë datën kur qytetarët do të zgjedhin 46 kryebashkiakët e rinj. Pas konsultimeve me partitë politike, ku opozita refuzoi të marrë pjesë. Edhe pse bojkotoi konsultimet me Presidentin, Berisha deklaroi se Partia Demokratike është e vendosur të shfrytëzojë çdo mundësi brenda sistemit, pa konfirmuar nëse do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi këtë të premte konsultimet me partitë parlamentare për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027, por përgjigje në ftesën e kreut të shtetit dhanë vetëm përfaqësuesit e mazhorancës, ndërsa opozita refuzoi të marrë pjesë.

Të parët që u pritën në Presidencë ishin përfaqësuesit e Partisë Socialiste, sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi, dhe kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla.

Socialistët nuk propozuan një datë konkrete, duke ia lënë vendimmarrjen Presidentit. Kërkesa e tyre e vetme ishte që zgjedhjet të mos mbahen më 2 maj, pasi kjo datë përkon me Pashkën Ortodokse.

Ndryshe nga socialistët, përfaqësuesit e Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit shkuan në takim me një propozim konkret.

Ata kërkuan që zgjedhjet të mbahen më 9 maj, datë që përkon edhe me Ditën e Europës. Kjo mund të jetë e pranueshme edhe për socialistët, të cilët e kanë përmendur më herët si një mundësi.

Në krahun tjetër, Partia Demokratike i cilësoi konsultimet fiktive dhe formale, duke refuzuar ftesën e Presidentit.

Edhe Partia e Lirisë, përmes një letre drejtuar Begajt, njoftoi se nuk do të marrë pjesë. Sipas saj, përparësi kanë zhvillimet aktuale politike dhe kërkesat e studentëve.

Pas takimit, Taulant Balla shprehu shpresën që opozita të mos bojkotojë zgjedhjet vendore.

Por përgjigja erdhi nga kryedemokrati Sali Berisha, i cili vuri në dyshim procesin zgjedhor, pa konfirmuar një vendim për bojkot.

„Partia Demokratike deklaron se në Shqipëri nuk ka zgjedhje, por farsa zgjedhore. Duke deklaruar të gjitha këto, Partia Demokratike është e vendosur të shfrytëzojë çdo mundësi, çdo potencial brenda këtij sistemi diktatorial.“

Zgjedhjet vendore të vitit 2027 pritet të jenë të parat që do të zhvillohen sipas ndarjes së re territoriale me 46 bashki, të miratuar vetëm me votat e mazhorancës.

Tashmë i takon Presidentit Begaj të caktojë datën e votimit, e cila duhet të jetë një e diel mes 15 prillit dhe 15 majit 2027.

Burimi: Ora News

Shpërndaje

Lajme të ngjashme