Prej 13 tetorit, kur protestat antiqeveritare ndoqën një kurs përplasjesh të dhunshme, Policia e Shtetit ka arrestuar me qindra protestues të rinj, një pjesë e të cilëve edhe në moshë të mitur.
Deri më 31 tetor, nga 319 protestuesit e arrestuar, 291 janë përballur me gjykatën për vlerësimin e masave të sigurisë. Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN, 62 arrestime ose mbi 21 për qind e totalit janë vlerësuar të paligjshme nga Gjykata e Tiranës ose direkt nga prokurorët.
Mes të arrestuarve kanë qenë 38 të mitur, nga të cilët gjykata ka vlerësuar se gjashtë janë ndalur në mënyrë të paligjshme. Policia ka proceduar penalisht deri më 27 tetor edhe 653 protestues të tjerë, nga të cilët 179 janë të mitur.
Nga personat e arrestuar, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e arrestit me burg për vetëm 12 raste, ndërkohë që tetë të tjerë janë lënë në arrest shtëpie. Pjesa më e madhe e protestuesve (157) janë lënë në masën e detyrimit për paraqitje, ndërsa 18 protestues të tjerë janë urdhëruar të mos shkojnë më në zonat ku zhvillohet protesta.
Radikalizimi i protestave me pjesmarrjen e studentëve dhe të rinjve nga 13 tetor ka ngritur shqetësime jo vetëm për përhapjen e dhunës, por edhe për reagimin jo-proporcional të Policisë së Shtetit.
Policia nuk ka pranuar zyrtarisht tejkalimin e proporcionalitetit, por më 22 tetor, zv.drejtori për Sigurinë Publike në Policinë e Tiranës u kërkoi komisariateve të respektojnë legjislacionin penal për të miturit gjatë shoqërimit, kontrollit dhe marrjes së deklarimeve të tyre – duke bërë kështu një hap pas nga metodat në trajtimin e protestuesve të mitur dhe kontrollin arbitrar të telefonave të tyre.
Reagimi i dokumentuar i Policisë dhe një përqindje e lartë e arrestimeve të vlerësuara si të paligjshme nga gjykata kanë shkaktuar shqetësime për kufijtë e kompetencave që i jepen Policisë së Shtetit në raport me të drejtën për protestë paqësore.
Pa garanci ligjore
Avokati Gentian Serjani ka përfaqësuar dhjetra protestues të ndalur ose të arrestuar gjatë protestave të javëve të fundit dhe sjell ndërmend shumë raste paligjshmërish. Në njërin prej tyre, ai kujton ndalimin për 11 orë në komisiariatin numër 1 në Tiranë të disa protestuesve, të cilët sipas tij u privuan nga uji, ushqimi dhe duhani.
„U shoqëruan pa asnjë arsye të ligjshme,“ pretendon avokati për BIRN.
„Një tjetër shkelje lidhet me mungesën e provave që do të justifikonin arrestimin dhe mbajtjen e personave për 72 orë. Kjo është konfirmuar edhe nga gjykata në disa raste, kur ka shpallur të paligjshme arrestimet e kryera,“ konstaton Serjani.
Njësoj si Serjani, edhe avokati Lulzim Tanushi pretendon se Policia e Shtetit nuk ka respektuar garancitë ligjore sa i përket kushteve të arrestit në flagrancë ose dyshimit të arsyeshëm, pasi është komunikuar arrestimi me burg. Sipas tij, janë arrestuar edhe persona të papërfshirë në dhunë ose që nuk kanë pasur asnjë lidhje me protestën.
„Shumica e rasteve, janë shoqëruar në polici, janë ndalur dhe janë arrestuar në flagrancë persona që nuk kanë pasur lidhje me protestën ose që nuk janë përfshirë në veprime të dhunshme,“ vëren Tanushi.
„Është ushtruar dhunë brutale e pajustifikuar ligjërisht, pasi personi ndaluar është neutralizuar. Është ushtruar dhunë gjatë ndalimit dhe në mjetet shoqëruese,“ shtoi më tej Tanushi, duke kujtuar se ndalimet ishin kryer nga punonjës policie të paidentifikuar.
Sipas Tanushit, probleme ka pasur edhe në marrjen e deklarimeve, ku punonjësit e Policisë nuk i kanë kursyer intimidimet ose kërcënimet. Në rastin e një klientit të tij, Tanushi tregon se oficeri i policisë gjyqësore shkoi në spital në orën 3 të natës dhe i kërkoi atij të firmoste procesverbalin e arrestit në flagrancë, pa praninë e avokatit.
Tanushi flet për një model veprimesh të policisë, që sipas tij nuk ndjek udhëzimet e ligjit por urdhrat politikë.






