Kalo te përmbajtja kryesore

„Për ju është rutinë, për mua është jetë“, bëhet publike letra e Arlinda Zekajt që kërkonte mbrojtje

Një letër e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, është bërë publike këtë të diel.

Nga Redaksia

· 3 min lexim

Shpërndaje
„Për ju është rutinë, për mua është jetë“, bëhet publike letra e Arlinda Zekajt që kërkonte mbrojtje

Pikat kryesore

  • Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, një javë pasi kishte shkruar letër gjyqtarit Migjen Kastrati duke kërkuar mbrojtje.
  • Pas vrasjes, janë pezulluar 13 zyrtarë, përfshirë kryeprokurorjen e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe 11 zyrtarë policorë.
  • Inspektorati Policor i Kosovës konstatoi se urdhri i mbrojtjes i datës 7 shtator nuk ishte ekzekutuar, ndërsa urdhri i dytë i lëshuar më 16 tetor ishte zbatuar gjashtë ditë më vonë.

Një tjetër letër e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, është bërë publike këtë të diel, një javë pas ngjarjes. Në të, 49-vjeçarja i kërkonte gjyqtarit Migjen Kastrati që ta trajtonte me urgjencë çështjen e saj, të vendoste për urdhrin e mbrojtjes dhe për kujdestarinë e djalit.

Letra, e shkruar më 7 shtator 2026, është publikuar nga Natyra Kuçi. Në të, Arlinda i drejtohej gjyqtarit me një lutje për të mos e vonuar shqyrtimin e çështjes së saj.

„Shkruaj si një grua që tani po ndihem e rrezikuar për jetën e vet, ashtu dhe për jetën e fëmiut që nuk e di ku e kam. Lutem shumë gjejë pak minuta nga koha juaj e ngarkuar, për të caktuar urdhrin mbrojtës dhe caktimin e fëmijës në “kujdestarinë" e në shtëpinë ku kam dhënë gjithçka që kam pas. Për ju është rutinë, për mua është jetë dhe veç Zoti e di pse ty të ka zgjedhë të shpëtosh jetë" shkruante ajo.

Letra është bërë publike në një kohë kur vrasja e Arlinda Zekajt ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë i trajtuan denoncimet dhe kërkesat e saj të vazhdueshme për mbrojtje nga dhuna në familje.

Pas vrasjes së saj, janë pezulluar nga detyra 13 zyrtarë, mes tyre kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, prokurorja e rastit, Arlinda Nallbani Gacaferi, si dhe 11 zyrtarë policorë.

Inspektorati Policor i Kosovës ka konstatuar se urdhri i mbrojtjes i datës 7 shtator nuk ishte ekzekutuar nga policia, ndërsa urdhri i dytë, i lëshuar më 16 tetor, ishte zbatuar gjashtë ditë më vonë, më 22 tetor.

Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka ngritur një komision hetimor për të shqyrtuar lëshimet e dyshuara të institucioneve në trajtimin e rastit.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor, pak minuta pasi policia e kishte shoqëruar në banesën ku ajo kërkonte të kthehej në bazë të vendimit gjyqësor. I dyshuar për vrasjen është ish-kunati i saj, Albert Sylaj, ndërsa ish-bashkëshorti, Jeton Sylaj, ishte ndaluar më herët për kanosje. Të dy ndodhen në paraburgim.

Ndërkohë, sot në Prishtinë do të mbahet protesta e pestë radhazi për vrasjen e Arlindës.

Tubimi është njoftuar të nisë në orën 17:00, nga sheshi „Zahir Pajaziti“, me kërkesën për drejtësi për viktimën dhe përgjegjësi nga institucionet.

Protesta organizohet nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, i cili përmes një thirrjeje publike ka akuzuar shtetin se ka dështuar në mbrojtjen e Zekajt dhe se po vazhdon të mos garantojë sigurinë e grave në Kosovë. Ata kërkojnë që institucionet përgjegjëse të japin llogari dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të parandaluar raste të ngjashme.

Ata kërkojnë që institucionet përgjegjëse të japin llogari dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të parandaluar raste të ngjashme.

Burimi: Ora News

Shpërndaje

Lajme të ngjashme