Sot, Presidenti i Republikës dekretoi datën 9 maj 2027 për mbajtjen e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.
Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet duhet të zhvillohen brenda periudhës zgjedhore të pranverës, e cila përfshin katër të diela midis 15 prillit dhe 15 majit.
Për caktimin e datës, Presidenti i Republikës thirri në konsultë të gjithë faktorin politik të përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve si përfaqësues i organit përgjegjës për zgjedhjet në Shqipëri. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve u përgjigjen thirrjes. Subjektet e tjera vendosën të mos marrin pjesë në konsultë dhe nuk bënë publik asnjë parapëlqim partiak lidhur me datën e zgjedhjeve.
Subjektet e përfshira në konsultë u treguan të hapura ndaj secilës zgjidhje. Komisioneri sugjeroi datën 9 maj 2027, ditën e fundit të kalendarit, me arsyetimin se kjo datë ofron më shumë kohë për masat zbatuese.






